LAJME

Nisin punimet për Qendrën Rinore të Sarandës

Punimet për ndërtimin e Qendrës Rinore të Sarandës kanë filluar, duke hapur një kapitull të ri për të rinjtë e këtij qyteti por dhe të njësive administrative. E financuar nga Agjensia Kombëtare e Rinisë (AKR) dhe Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët (MSHRF), kjo qendër synon të ofrojë jo thjesht një ndërtesë, por një vend ku të rinjtë mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes angazhimit, edukimit dhe bashkëpunimit.

Qendra do të jetë një burim i rëndësishëm për të rinjtë e grupmoshës 16-26 vjeç, duke ofruar një sërë aktivitetesh që u përgjigjen interesave dhe nevojave të tyre. Në një sipërfaqe prej mbi 250 m², kjo qendër do të ofrojë një ambient të mbushur me mundësi për t’u rritur dhe zhvilluar, që nga sallat e bibliotekës dhe teknologjisë, deri te mini-kinematë, ekspozitat, dhe mjediset për podcaste. Të rinjtë do të kenë mundësinë të angazhohen në aktivitete që i ndihmojnë të fitojnë aftësi praktike dhe sociale, të cilat janë thelbësore për një të ardhme të suksesshme.

Qendra do të ofrojë programe të dizajnuara posaçërisht për të rinjtë, si kurse për Teknologji Informative (IT), Fotografi, Gazetari, Aktrim, si dhe klube që promovojnë mësimin dhe ndërveprimin, si Klubi i Librit, Klubi i Karrierës, dhe Klubi i Debatit. Programet do të synojnë jo vetëm zhvillimin profesional, por edhe atë personal, duke përfshirë këshillime individuale dhe në grup, promovimin e sipërmarrjes dhe lidershipit.

Një ndër aspektet më të veçanta të kësaj qendre është përfshirja e aktiviteteve që pasqyrojnë pasionet dhe interesat e të rinjve në teknologji dhe kulturë. Për shembull, mini-kinoja dhe hapësirat për podcaste janë projektuar për të lejuar të rinjtë të eksplorojnë krijimtarinë e tyre dhe të ndajnë zërin e tyre me komunitetin. Kursi i Gazetarëve të Rinj dhe Klubi i Debatit do të shërbejnë si platforma për ata që duan të zhvillojnë aftësitë e tyre komunikuese dhe të bëhen zëdhënës të ndryshimeve sociale.

Me një buxhet prej 10 milionë lekësh, projekti është një investim i madh për qytetin e Sarandës dhe një mundësi e shkëlqyer për rreth 6,000 të rinj që do të kenë qasje në këtë qendër. Stafi i specializuar i Qendrës Rinore do të ofrojë shërbime profesionale, duke u kujdesur që çdo i ri të marrë mbështetjen dhe udhëzimin që i nevojitet për të përparuar. Përmes këtyre aktiviteteve dhe shërbimeve, synohet jo vetëm të forcohet roli i të rinjve në komunitet, por edhe të krijohen lidhje më të ngushta mes tyre dhe pjesës tjetër të shoqërisë.

Kjo iniciativë do ti japi Sarandës një hapësirë ku të rinjtë mund të ndihen të dëgjuar dhe të inkurajuar për të shprehur idetë e tyre, për të mësuar aftësi të reja dhe për të bashkëpunuar në ndërtimin e një të ardhme më të mirë.

Me përfundimin e punimeve, Qendra Rinore e Sarandës pritet të jetë një pikë referimi jo vetëm për qytetin, por për të gjithë rajonin e jugut duke zgjidhur mungesën e hapësirave për zhvillimin e aktiviteteve për të rinjtë si dhe do ti vijë në ndihmë organizatave të shoqërisë civile për programet që ato do të implementojnë në vijim me të rinjtë e qytetit.

Leave A Comment

Your Comment
All comments are held for moderation.