Dita e Tokës në Sarandë: Mbjellje pemësh dhe aksion pastrimi në të gjithë qytetin
Dita e Tokës më 22 Prill 2024 shënoi një prej aktiviteteve më të veçanta të projektit “Në Duar të Sigurta”. Në bashkëpunim me Bashkinë e Sarandës dhe me iniciativën e Forumit Rinor Sarandë, u organizuan aktivitete të ndryshme për mbjellje pemësh dhe aksione pastrimi.
Pjesëmarrësit, përfshirë nxënësit e shkollave “9 Tetori” dhe “Adem Sheme”, morën pjesë aktivisht në mbjelljen e 20 rrënjve bukovilje dhe në pastrimin e zonës përreth shkollës. Në Ksamil, u organizua një tjetër aktivitet i rëndësishëm ku u mbollën pemë përgjatë rrugës kryesore të njësisë administrative dhe u realizua një aksion pastrimi për të përmirësuar mjedisin.
Në Plazhin e Çentralit dhe Rrugën e Flamurit, shkolla profesionale “Antoni Athanas” u angazhua në një aksion masiv pastrimi, duke kontribuar në përmirësimin e këtyre zonave publike. Këto aktivitete kishin për qëllim jo vetëm përmirësimin e mjedisit, por edhe ndërgjegjësimin e komunitetit për rëndësinë e mbrojtjes së tij.
Aktiviteti i Ditës së Tokës ishte një nga më të mëdhenjtë e organizatës LIBURNETIK për vitin 2024 dhe përfshiu grupmosha të ndryshme, fëmijë dhe të rinj. Kjo përfshirje masive e të rinjve në aktivitete mjedisore tregon angazhimin dhe përkushtimin e tyre për një të ardhme më të gjelbër dhe më të pastër.
Ky bashkëpunim mes Forumit Rinor Sarandë, Bashkisë së Sarandës dhe shkollave të ndryshme të qytetit është një shembull i veçantë i punës së përbashkët për të arritur qëllime të përbashkëta me në fokus ndërgjegjësimin dhe edukimin mjedisor.